Kursimet e bizneseve u shtuan me 7 mld lekë në nisje të vitit 2026.
Depozitat e bizneseve në banka e nisën vitin 2026 me rritje, duke arritur në 311.4 miliardë lekë në fund të janarit, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Krahasuar me fundin e vitit 2025, stoku i depozitave u rrit me 7 miliardë lekë, ndërsa në baza vjetore zgjerimi arriti në 6.5%, ritëm më i ulët se ai i depozitave të individëve.
Efekt sezonal dhe fluksi buxhetor
Rritja e janarit vlerësohet pjesërisht sezonale, e lidhur me arkëtimin e të ardhurave nga shitjet e realizuara në dhjetor dhe me shtimin e pagesave buxhetore në këtë periudhë. Një faktor tjetër i mundshëm është edhe procesi i ashtuquajtur i paqes fiskale, megjithëse ndikimi i tij mbetet i vështirë për t’u matur. Depozitat e bizneseve përbëjnë rreth 20.7% të totalit të depozitave bankare, peshë disi më e ulët se një vit më parë.
Rritje e fortë pas pandemisë
Në pesë vitet e fundit, depozitat e bizneseve janë rritur me mbi 72%, duke reflektuar përmirësimin e likuiditetit dhe gjendjes financiare pas pandemisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo prirje lidhet me rritjen e aktivitetit ekonomik, menaxhimin më aktiv të likuiditetit, formalizimin dhe dixhitalizimin e ekonomisë, si dhe zgjerimin e aksesit në shërbimet bankare.
Dominim i llogarive rrjedhëse
Struktura e depozitave dominohet nga llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat, që përbëjnë mbi 90% të totalit, duke treguar preferencën për mjete likuide. Depozitat në valutë kanë pasur rritje të shpejtë vitet e fundit, të mbështetura nga ecuria pozitive e turizmit. Gjithashtu, përqendrimi i shpenzimeve dhe i deficitit buxhetor në fund të vitit ndikon në rritjen e përkohshme të depozitave të bizneseve gjatë muajit janar.